Shkruan Naim Kelmendi
Kishat ortodokse në Kosovë janë trashëgimi kulturore e fetare e qytetarëve të Kosovës. Më thjeshtë dhe thënë troç, ato nuk janë në asnjë mënyrë trashëgimi fetare serbe.
Kishat e ritit bizantin-ortodoks, siç është patrikana e Pejës, pastaj kisha e Deçanit, ajo e Graqanicës, janë të uzurpuara në kohë nga ardhacakët serbë, por historia e tyre argumenton qartë mbi dokumente relevante, se ato ishin shqiptare.
Meqë plani francezo-gjerman duket se po pranohet për të dyja palët në bisedimet për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, një nga pikat e këtij plani, me konkretisht pika 7, thotë se më këtë plan “palët do të zyrtarizojnë statusin e kishës ortodokse serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
- Advertisement -
Pra këto përkufizohen në mënyrë zyrtare si trashëgimi fetare e kulturore serbe në Kosovë. Nga ana tjetër thuhet edhe se, atyre do t’u krijohet një siguri e lartë, pra ashtu sikur kërkonin eksterritorialitet, d.m.th që te bëhen autonome me territor dhe me mbrojtje të lartë nga shteti.
Vjen pyetja, po kush i mbrojti historikisht ato kisha, i kanë mbrojtur vetë qytetarët, ngase kanë qenë të tyret, sidomos kur shqiptarët e këtyre trevave i takonin besimit ortodoks.
Edhe pse gjatë shekullit XV shumica kaluan në fenë, apo besimin islam, pra në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, vetë shqiptarët i ruajtën kishat sepse ishin të tyret.
Edhe kur ato, sikundër Patrikana e Pejës, Kisha e Deçanit, dhe e Graqanicës u uzurpuan nga serbët, shqiptarët i kanë ruajtur dhe janë kujdesur për to, si trashëgimi kulturore e Kosovës e assesi serbe.
Pra, këtu duhet të kihet parasysh fakti që të mos pranohet ky përkufizim i kishave në Kosovë, si një trashëgimi fetare dhe kulturore serbe,ngase është e pavërtetë si përkufizim dhe e dëmshme për trashëgiminë kulturore të qytetarëve të Kosovës.