Chelsea i Enzo Maresca ka shkruar një tjetër kapitull të artë në historinë e tij europiane. Në finalen e UEFA Conference League ndaj Real Betis Sevilla, skuadra londineze përmbysi disavantazhin fillestar dhe triumfoi me rezultatin bindës 4-1, duke siguruar trofeun e fundit që i mungonte në vitrinën e saj – dhe kështu, kompletimin e të gjithë titujve të mundshëm të organizuar nga UEFA.
Nën drejtimin e trajnerit italian, Chelsea tregoi pjekuri, karakter dhe ambicie të qarta për të ardhmen. Pavarësisht një fillimi të vështirë, “blutë” shpërthyen në pjesën e dytë, duke dominuar sfidën falë zgjuarsisë taktike dhe energjisë së futbollistëve të rinj.
Pas fitores, Maresca u shfaq i emocionuar dhe entuziast për të ardhmen:
“Është një gëzim i madh. Vuajtëm pak në pjesën e parë, por më pas ndryshuam diçka dhe gjithçka shkoi më mirë. Jemi të lumtur sepse mbyllëm një sezon të madh. Edhe në Premier League arritëm të siguronim pjesëmarrjen në Champions League me një skuadër shumë të re. Kësisoji, jemi shumë të kënaqur.”
- Advertisement -
Chelsea u gjend në disavantazh pas vetëm 9 minutash, por reagimi në pjesën e dytë ishte imponues. Maresca shpjegoi se kishte parashikuar një fillim të vështirë për shkak të lodhjes fizike:
“Pak a shumë e prisja këtë. Kishim 48 orë më pak për rikuperim. Betis luajti të premten pa presion, ndërsa ne të dielën, 100 minuta për një objektiv madhor. E dija që mund të fillonim dobët, por ndryshuam disa aspekte taktike në fund të pjesës së parë. Mesazhi për lojtarët në pushim ishte i qartë: ata po jepnin më shumë se ne.”
Fitorja ndaj Betisit shënon edhe fundin e një dominimi të gjatë të skuadrave spanjolle në finalet europiane. Që nga viti 2011, asnjë klub nga La Liga nuk kishte humbur një finale në Europë.
Maresca, me këtë sukses, bëhet trajneri i katërt italian që fiton një trofe europian me Chelsean, duke iu bashkuar emrave të mëdhenj si Carlo Ancelotti, Roberto Di Matteo dhe Maurizio Sarri.
Për “blutë”, e ardhmja duket premtuese. Maresca e bëri të qartë se objektivi tashmë është Champions League:
- Advertisement -
“Po, jemi gati për Champions. E mbyllëm mirë kampionatin dhe tani kemi rreth 10 ditë pushim, më pas do të udhëtojmë drejt SHBA për Kupën e Botës për Klube.”
Në fund, Maresca ndau edhe një moment personal prekës:
“Babai ishte këtu me gjithë familjen. Në Stamboll nuk kishte mundur të ishte, por tani është këtu. Jam shumë i lumtur që e ndamë këtë fitore bashkë.”