Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në kuadër të hetimeve që lidhen me dhënien e një prone shtetërore pa ankand publik për ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, për Gazetën Express, pas përfundimit të bastisjeve të kryera nga Policia në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas prokurorit të rastit, Admir Shala, kontrolli është zgjeruar edhe në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencinë e Veterinarisë, si dhe në lokacionin e kompanisë që dyshohet se ka përfituar pronën.
Hetimet janë fokusuar në një vendim të Ministrisë, përmes të cilit dyshohet se një kompani private ka përfituar një hapësirë shtetërore me qira 20-vjeçare, pa procedurë ankandi, duke ngritur dyshime për shkelje ligjore dhe favorizim.
- Advertisement -
Peci, i cili aktualisht mban detyrën e ministrit të Bujqësisë, po merret në pyetje në kuadër të këtyre hetimeve, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje shtesë për masat e mundshme ligjore që mund të ndërmerren.