Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës për të tentuar për herë të 22-të konstituimin e Legjislaturës së nëntë.
Seanca pritet të vijojë në orën 11:00, në përpjekje për të formuar organet drejtuese të Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të ri. Deri tani, përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme, për shkak të mungesës së marrëveshjes politike mes partive parlamentare.
Të dielën, më 25 maj, për herë të 21-të dështoi formimi i komisionit zgjedhor, i cili është një hap kyç në procesin e konstituimit. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, iu drejtua sërish partive që nuk kanë propozuar anëtarët e tyre për këtë komision, por as kësaj radhe nuk pati ndonjë emërim të ri.
Në seancë ishin të pranishëm 90 deputetë. Pavarësisht kësaj, u procedua me votimin e komisionit zgjedhor në përbërjen e propozuar nga seancat e mëparshme. Komisioni mori mbështetjen e 53 deputetëve, ndërsa një votë ishte kundër dhe nuk pati abstenime.
- Advertisement -
Pas këtij zhvillimi, kryesuesi Dehari njoftoi se seanca konstituive do të vazhdojë sot, më 27 maj, duke shënuar përpjekjen e 22-të për të nisur zyrtarisht punën e legjislaturës së re.