Ish-ylli brazilian Ronaldinho ka shprehur mbështetjen për ish-klubin e tij, Paris Saint-Germain, duke u shprehur optimist se ekipi francez do të arrijë më në fund të fitojë Ligën e Kampionëve.
Legjenda e futbollit, që hodhi hapat e parë në Europë pikërisht te PSG, ka vlerësuar skuadrën aktuale dhe ka uruar sukses në finalen e madhe të këtij sezoni. “Shpresoj që PSG të bëhet kampione e Europës,” u shpreh Ronaldinho. “Në Paris më kanë pritur me shumë dashuri dhe e di sa shumë e dëshirojnë këtë trofe.”
Braziliani 45-vjeçar, i cili qëndroi dy vite në kryeqytetin francez duke realizuar 17 gola në 55 paraqitje përpara transferimit te Barcelona, ka folur gjithashtu me superlativa për trajnerin aktual të PSG-së, me të cilin ndan një marrëdhënie personale.
“Parisienët kanë një trajner të madh, që është edhe mik i imi. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe ata ta fitojnë Champions-in,” shtoi ai.
- Advertisement -
PSG do të përballet me Interin në finalen e Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 31 maj në Mynih. Kjo është një mundësi e artë për klubin francez që të sigurojë trofeun e parë në historinë e tij në këtë kompeticion, pas humbjes në finalen e vitit 2020 kundër Bayern Munich.