Për herë të parë në Spanjë, një gjykatë ka shpallur fajtorë pesë tifozë për ofendime raciste ndaj futbollistit brazilian të Real Madrid, Vinicius Junior, duke vendosur një precedent të fortë në luftën kundër racizmit në sport.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 30 dhjetor 2022, gjatë një ndeshjeje të La Liga-s mes Valladolid dhe Real Madridit. Sipas vendimit të shpallur, secili prej të pandehurve është dënuar me një vit burg me kusht, gjoba që variojnë nga 1.080 deri në 1.620 euro, si dhe ndalim për të hyrë në stadiume për tri vite.
Prokuroria dhe La Liga e kanë cilësuar këtë vendim si “historik”, duke theksuar se është hera e parë që në Spanjë jepet një dënim kaq i ashpër për sjellje raciste në stadiume. Sipas vendimit, veprimet e tifozëve janë kategorizuar si “krim urrejtjeje”, me element përkeqësues si qëllimi për të poshtëruar dhe për të cënuar dinjitetin e një personi për shkak të racës.
Megjithatë, të dënuarit nuk do të vuajnë menjëherë dënimin me burg, përveçse në rast se kryejnë një tjetër vepër penale brenda tri viteve të ardhshme.
- Advertisement -
Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, reagoi përmes rrjetit social X (ish-Twitter):
“Ky është një dënim historik, fryt i punës sonë të palodhur dhe përkushtimit për një futboll të lirë nga dhuna dhe diskriminimi. Do të qëndrojmë të vendosur në këtë betejë.”
Ky vendim pritet të japë një mesazh të qartë: racizmi nuk ka vend në futboll. Dhe për herë të parë, drejtësia e ka bërë të qartë se pasojat janë reale.