Jurgen Klopp mund të jetë surpriza e madhe e verës për stolin e AS Romës. Sipas raportimeve nga mediat italiane, trajneri gjerman pritet të marrë drejtimin e skuadrës verdhekuqe, duke zëvendësuar Claudio Ranierin.
Gazeta italiane La Stampa shkruan se ish-trajneri i Liverpool-it, pas largimit emocional nga “Anfield”, është gati të rikthehet në pankinë, këtë herë në Serie A. Klopp, i cili pak muaj më parë nënshkroi një marrëveshje me Red Bull për të mbikëqyrur projektet e tyre futbollistike në nivel global, duket se ka vendosur të rikthehet në rolin aktiv të trajnerit.
Sipas burimeve, tekniku gjerman i ka dhënë tashmë dritën jeshile drejtuesve të Romës, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubi. Njoftimi zyrtar mund të bëhet publik brenda pak ditësh, thuhet në raportime.
Ky zhvillim do të ishte një lëvizje e bujshme për Romën dhe Serie A, duke sjellë një prej emrave më të njohur të futbollit evropian në kampionatin italian.