Prishtina po përballet me një situatë të rënduar mjedisore, për shkak të grumbullimit të mbeturinave në çdo cep të qytetit. Shkak për këtë ka qenë greva e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, të cilët kanë pezulluar punën në shenjë proteste, për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre dhe borxhit të akumuluar nga Komuna e Prishtinës ndaj kompanisë.
Situata ka marrë përmasa alarmante, me rrugë dhe lagje të mbuluara nga mbeturinat, duke rritur shqetësimin e qytetarëve, të cilët tashmë po përballen edhe me sfida të tjera infrastrukturore e urbane.
Në këtë klimë të pakënaqësisë së përgjithshme, në rrjetet sociale është shfaqur një këngë satirike dedikuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Kënga, e cila po qarkullon me shpejtësi në TikTok, ironizon situatën e rënduar të kryeqytetit nën sloganin “Bërllok, beton-beton”.
Klipi është shpërndarë edhe nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i cili në një postim ironik shkruan: “Kënga që do duhej të na përfaqësonte në Eurovizion.”
- Advertisement -
Përparim Rama, i cili pritet të rikandidojë nga LDK për një mandat të dytë në krye të komunës, është në qendër të kritikave publike, ndërsa qytetarët presin një zgjidhje urgjente për situatën e krijuar.
@ilirkerceli
Kënga që do duhej të na përfaqësonte në Eurovizion. #hit #peprparimrama