Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve Financiare të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë një tjetër goditje të fuqishme kundër krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave. Në kuadër të hetimeve për rastin e koduar “Mati”, autoritetet kanë sekuestruar pasuri të paluajtshme me vlerë të përgjithshme prej mbi 2.28 milionë euro.
Sipas një komunikate të përbashkët të lëshuar nga PSRK dhe Policia e Kosovës, sekuestroja është realizuar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj një personi të dyshuar me inicialet Sh.C.
Pasuria e sekuestruar përfshin 20 njësi banesore me sipërfaqe totale prej 1,788.41 metra katrorë dhe vlerë të përafërt rreth 1.78 milionë euro. Gjithashtu janë përfshirë 2 lokale afariste (167.54 m²) në vlerë prej rreth 335 mijë euro, 17 vendparkime (garazha) me sipërfaqe prej 241.96 m² të vlerësuara në 145 mijë euro, si dhe 6 depo me sipërfaqe 28.87 m² në vlerë rreth 17 mijë euro.
“Pasuria është identifikuar gjatë hetimeve intensive të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet hetuesve financiarë dhe prokurorit të çështjes nga PSRK”, thuhet në njoftim.
- Advertisement -
Prokuroria bën të ditur se hetimet janë ende në vazhdim dhe rasti po trajtohet në drejtim të veprës penale “Shpëlarje e parave”. Ndërkohë, autoritetet sigurojnë opinionin publik se për çdo zhvillim të mëtejshëm do të ketë informim të rregullt.