Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të bëjë sot përpjekjen e 13-të për t’u konstituar, pasi një ditë më parë procesi dështoi sërish për shkak të mungesës së kuorumit.
Të mërkurën, seanca u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari, pasi dështoi zgjedhja e komisionit për votimin e fshehtë – një hap procedural thelbësor për vazhdimin e procesit të konstituimit. Dehari përsëriti thirrjen ndaj partive politike që të propozojnë anëtarë për këtë komision, por ftesa e tij nuk gjeti mbështetje nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-Nisma dhe Lista Serbe, të cilat nuk propozuan kandidatë, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si në seancat e mëhershme.
Megjithatë, në mungesë të propozimeve të reja, përbërja e komisionit me emrat e propozuar në seancat e kaluara u hodh në votim. Siç njoftoi kryesuesi Dehari, 56 deputetë votuan pro, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Në sfond të këtyre zhvillimeve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar një takim mes liderëve politikë, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin institucional.
- Advertisement -
“Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë, por tani që disa parti kanë kërkuar takim të përbashkët, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë partitë për të përcaktuar një kohë të përshtatshme për të gjithë”, deklaroi këshilltari për media, Bekim Kupina.