Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka bërë thirrje të qartë për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe për pranimin e aplikimit të saj për anëtarësim.
Duke folur para Parlamentit Evropian, Reuten kritikoi qëndrimin e Këshillit të BE-së, duke theksuar se Kosova është një partnere që ndan vlerat dhe vizionin gjeopolitik të Bashkimit Evropian.
“Kosova është një partnere, që ndan vlerat dhe pikëpamjen tonë gjeopolitike. Megjithatë, Këshilli i BE-së vazhdon të bllokojë pranimin e thjeshtë të aplikimit për anëtarësim të këtij partneri. A kështu e trajtoni një partner?”, deklaroi ai.
Reuten i bëri thirrje institucioneve evropiane të ndërmarrin hapa konkretë: “Hiqni këto masa kufizuese, normalizoni marrëdhëniet midis të gjithë anëtarëve të BE-së dhe Kosovës, njiheni atë dhe pranoni aplikimin.”
- Advertisement -
Ai gjithashtu vuri në dukje se edhe pa miratimin e Këshillit, Komisioni Evropian ka mundësi të nisë përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur Kosova vazhdon të përballet me masa ndëshkuese të vendosura nga BE-ja pas tensioneve në veri, ndërkohë që procesi i integrimit të saj mbetet i bllokuar.