Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për herë të parë pas letrës së kryeministrit Albin Kurti drejtuar partisë së tij, duke propozuar formimin e një qeverie nacionale të tranzicionit.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën, Abdixhiku tha se pas konsultimeve të brendshme dhe për shkak të situatës politike në vend, LDK e sheh si të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me liderin e saj, Albin Kurti.
“Kam marrë një letër nga Albin Kurti dhe, i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që pas konsultimeve të ritheksoj qëndrimet tona. LDK, për shkak të mungesës së besimit dhe duke pasur parasysh stagnimin katërvjeçar, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, si dhe mosrespektimin e vendimeve të institucioneve, e vlerëson të pamundur çdo bashkëpunim me VV-në,” deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se LDK propozon një qasje të re politike përmes një procesi të konsultimeve ndërpartiake me synim krijimin e një qeverie të përkohshme.
- Advertisement -
“LDK dhe unë si kryetar i saj propozojmë nisjen e një procesi të ri politik, që kërkon përgjegjësi, unitet dhe vetëdije të lartë politike. Në këtë drejtim, ftojmë partitë në një proces konsultativ për formimin e një qeverie nacionale të tranzicionit,” theksoi ai.