Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar zyrtarisht se është arritur marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Shtetit të Bruneit.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi të presidentes në rrjetet sociale, ku ajo publikoi fotografi nga ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me Sulltanin e Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah.
“Sot, së bashku me Sulltanin e Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah, nënshkruam marrëveshjen për heqjen e vizave ndërmjet Kosovës dhe Bruneit – një hap domethënës drejt afrimit dhe bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy shteteve tona,” shkroi Osmani.
Presidentja theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson më shumë sesa një lehtësim teknik në udhëtime, duke e cilësuar atë si një “urë miqësie e ndërtuar mbi respektin dhe mirëbesimin e ndërsjellë”.
- Advertisement -
Kjo është një nga marrëveshjet më të fundit në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë kosovare për zgjerimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të saj në vende të ndryshme të botës.