Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për herë të parë pas letrës që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar atij me ftesë për bashkëpunim politik.
Duke dalë nga objekti i Kuvendit të Kosovës, ku ishte i pranishëm së bashku me deputetët e partisë së tij, Abdixhiku u ndal për një prononcim të shkurtër për gazetarët që e prisnin përpara hyrjes. Ai konfirmoi se ka pranuar letrën dhe se përgjigja do të jepet në mënyrë institucionale dhe brenda afateve të arsyeshme.
“Kam marrë një letër. Do të kthejmë përgjigje me kohë. Më lejoni të shkoj në zyrë, ta lexoj si duhet, pastaj do të japim një përgjigje zyrtare, siç i takon një partie politike,” u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se nuk ka pasur ndonjë diskutim formal rreth letrës deri më tani, duke sqaruar se takimi i sotëm me deputetët e LDK-së ishte thjesht një drekë pune.
- Advertisement -
Në fund të deklaratës, kreu i LDK-së bëri thirrje për qetësi dhe maturi në trajtimin e situatës aktuale politike. “I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë,” theksoi ai.