Dy ditë pas dështimit të radhës, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish sot, brenda afatit 48-orësh të përcaktuar nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
Pavarësisht se më 16 prill deputetët dhanë betimin, procesi mbeti i ngërthyer në krizën politike që po thellohet dita-ditës. Fillimisht, ngërçi politik kishte nisur me kërkesën e subjekteve PDK, LDK dhe AAK që përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje të dorëhiqeshin nga postet qeveritare, përfshirë edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Por edhe pasi kjo pengesë u kapërcye dhe betimi u dha, Kuvendi hyri në një tjetër bllokadë – atë të zgjedhjes së kryetares. Kandidatja e vetme, Albulena Haxhiu nga LVV, nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit më të lartë legjislativ. Deri tani, ajo ka marrë vetëm 57 vota, katër më pak se minimumi i kërkuar për t’u zgjedhur.
Emri i saj nuk u propozua në seancën e fundit, megjithatë nuk ka sinjale se Vetëvendosje është tërhequr nga kandidatura e Haxhiut. Përpjekja për ta zgjedhur atë është përsëritur 10 herë, ndërsa në gjashtë raste ajo ka dështuar në votim.
- Advertisement -
Për më tepër, takimi i fundit mes liderit të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi, nuk prodhoi asnjë rezultat konkret. Opozita refuzon kandidaturën e Haxhiut, duke e cilësuar atë si “përçarëse”, ndërsa LVV po insiston që votimi të mbahet në mënyrë të fshehtë – një kërkesë që po kundërshtohet nga blloku opozitar.
Në mungesë të një zgjidhjeje, situata në Kuvend po cilësohet si “rrugë pa dalje”, ndërkohë që në opinion publik po shtohen zërat kritikë për deputetët, të cilët edhe pse kanë qëndruar pak minuta në seanca, vijojnë të paguhen rregullisht.
Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonsoliduar, ndërsa bllokada politike duket se po shndërrohet në normalitet.