Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës ku ka diskutuar në sesion me temë “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”, ku ka prezantuar të arriturat e Kosovës në vitin 2022, progresin ekonomik dhe atë demokratik.
Kryeministri kosovar theksoi nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.
Në këtë sesion, kryeministri Kurti diskutoi krahas: Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Alexander Schallenberg, ministër Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Miroslav Lajčák, përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Borjana Krišto, kryetare e emëruar e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe shumë pjesëmarrës të shteteve të ndryshme.
Ky sesion me pjesëmarrës udhëheqës të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, u kryesua nga Børge Brende, president i Forumit Ekonomik Botëror, ndërsa u drejtua nga Mirek Dušek, drejtor menaxhues i Forumit Ekonomik Botëror, thuhet në njoftimin për media lëshuar nga Qeveria e Kosovës.