Shkëlqim Vllasaliu, 23 vjeç nga Prishtina, është një nga qindra të rinj në Kosovë që, pavarësisht përgatitjes profesionale, janë të detyruar të punojnë jashtë fushës së tyre të studimit. Pas një rrugëtimi të gjatë akademik dhe përpjekjesh për t’u pajisur me licencë, ai sot punon si ndihmëskuzhinier në një restorant në kryeqytet.
“Është punë që më lehtë mund të sigurohet. Kërkesa ka shumë në gastronomi”, shprehet ai, duke e konsideruar këtë zgjedhje më shumë të imponuar se të dëshiruar.
Një realitet i ngjashëm është edhe për Arlind Shalën, i cili ka përfunduar studimet në Administratë Publike, por sot shërben si kamerier. Edhe pse ka ndjekur konkurset e punës në sektorin publik e privat, ka aplikuar vetëm në pak prej tyre.
“Është demotivues fakti që pa lidhje me dikë në pozita të larta, nuk ke gjasa të pranohesh. Kjo më ka zhgënjyer”, thotë ai, duke përmendur nepotizmin si pengesën kryesore.
- Advertisement -
Në të njëjtën situatë gjendet edhe Erion Sejdiu nga Ferizaj, i diplomuar në Punë Sociale. Ai nuk ka arritur të punësohet në profesionin e tij, dhe aktualisht angazhohet në sektorin privat. “Ka shumë pak konkurse për këtë profesion, dhe ato që ka, kërkojnë përvojë pune që një i sapodiplomuar nuk e ka”, thotë Erioni.
Sfidat e punësimit për të rinjtë
Blenda Pira nga organizata “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” thotë se punësimi jashtë profesionit jo vetëm që demotivon të rinjtë, por ndikon negativisht edhe në cilësinë e punës që ata kryejnë.
“Të rinjtë investojnë vite në arsimim, por më pas përfundojnë në sektorë si gastronomia apo ndërtimtaria. Kjo tregon për një mospërputhje të theksuar mes tregut të punës dhe sistemit arsimor”, shpjegon ajo.
Raporti i fundit i Institutit GAP, i publikuar më 30 prill, thekson se mungesa e përvojës dhe përshtatja e dobët me kërkesat e tregut janë ndër sfidat më të mëdha për punësimin e të rinjve në Kosovë. GAP rekomandon trajnime të përshtatura për këtë kategori, veçanërisht për ata që nuk janë të përfshirë në arsim, punë apo trajnime (NEET).
Statistikat që flasin vetë
Kosova ka një popullsi të re me moshë mesatare 35 vjeç, ndërsa grupmosha 15-24 vjeç përbën mbi 256 mijë qytetarë. Megjithatë, kjo është kategoria më e goditur nga papunësia. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në këtë grup ka arritur në 21.2% në gjysmën e parë të vitit 2023, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin paraprak.
- Advertisement -
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, të rinjtë në Kosovë nuk kërkojnë vetëm vende pune – ata kërkojnë shanse reale për të ndërtuar një të ardhme në profesionin për të cilin janë përgatitur./REL