Grupi i aktivistëve “Asnjë Cent Më Shumë” ka dorëzuar zyrtarisht një padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar anulimin e vendimit të fundit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Pas dorëzimit të padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, avokati i grupit, Ardian Bajraktari, theksoi se rritja e çmimeve është një vendim i bazuar në shkelje ligjore dhe që ka natyrë diskriminuese.
“Ne sapo dorëzuam padinë në Gjykatën Themelore. Kërkojmë anulimin e vendimit për rritjen e tarifave, pasi ai është marrë me shkelje dhe është i natyrës diskriminuese. Po ashtu, kërkojmë që ky vendim të kthehet në pikën zero, pasi ka pasoja të pariparueshme,” deklaroi Bajraktari, duke shtuar se grupi do të drejtohet edhe tek Avokati i Popullit për mbështetje në këtë çështje.
Nga ana e tij, Ali Sefaj, përfaqësues i grupit “Asnjë Cent Më Shumë”, shprehu besimin se gjykata do të veprojë në përputhje me kërkesat e tyre. “Gjykata është institucioni ku do të atakojmë këtë vendim dhe besojmë se do të vendos sipas kërkesave tona,” tha Sefaj.
- Advertisement -
Ky veprim i grupit vjen pas shqetësimeve të shumta të qytetarëve për rritjen e tarifave të energjisë dhe ndikimin e saj në jetesën e përditshme.