Greva e protesta janë organizuar sot në mbarë Francën nga ana e sindikatave vendase, që kundërshtojnë me forcë planin e presidentit, Emmanuel Macron për të rritur moshën e daljes në pension.
Projektligji, që pritet të diskutohet në parlament, parasheh që mosha zyrtare kur njerëzit mund të ndalojnë së punuari të rritet nga 62, sa është aktualisht, në 64.
Ky plan ka shkaktuar zemërim mes popullsisë. Gjatë protestës priten ç’rregullime masive të shërbimeve të transportit, shumë shkolla do të mbyllen dhe nuk do të ofrohen shërbimet publike.
Në Aeroportin Orly në Paris, një në pesë fluturime është anuluar. Në linjat e metrove në Paris vetëm dy linja që funksionojnë pa shoferë, janë duke punuar normalisht.
- Advertisement -
Protestat pritet të mbahen në Paris dhe qytetet tjera. Sipas propozimeve të prezantuara më herët gjatë këtij muaji nga kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, nga viti 2027, njerëzit do të duhet të punojnë 43 vjet për t’u kualifikuar për pension të plotë, në krahasim me 42 vjet sa është tani.
Sondazhet publike kanë treguar se 68 për qind e popullsisë e kundërshton këtë propozim.
Qeveria, në anën tjetër, beson se sistemi francez po shkon drejt katastrofës sepse raporti mes atyre që punojnë dhe atyre që janë në pension po zvogëlohet me shpejtësi. Në krahasim me 50 vjet më parë, kur kanë ekzistuar katër punëtorë për një pensionist, sot raporti ka rënë në 1.7 me 1 dhe pritet që shifrat të lëvizin edhe më shumë në vitet në vijim.