Pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për rritjen e çmimeve të produkteve bazë, përfshirë edhe bukën, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur inspektimet në terren për të monitoruar situatën në tregun kosovar.
Aktualisht, ky autoritet po zhvillon një analizë të thelluar për mbi 20 produkte të shportës bazike, me qëllim që të identifikojë arsyet e rritjes së çmimeve dhe të vlerësojë nëse ka shkelje të mundshme të ligjit për konkurrencën.
Në fokus të veçantë është tregu i bukës, ku Autoriteti ka nisur mbledhjen e informatave për të shqyrtuar nëse rritja e çmimeve është e arsyetuar apo përbën shkelje të nenit 5 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës – i cili ndalon përcaktimin e çmimeve në mënyrë të bashkërenduar apo artificiale mes ndërmarrjeve konkurrente.
“Autoriteti nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn në rastet kur ato përcaktohen në mënyrë të koordinuar në kundërshtim me ligjin,” thuhet në njoftimin zyrtar.
- Advertisement -
Nën lupën e Autoritetit është edhe sektori i gastronomisë, me fokus të veçantë në çmimin e kafesë. Inspektorët po zhvillojnë vizita në qytete të ndryshme të vendit, duke mbledhur të dhëna direkte nga operatorët e tregut.
Në rast se gjatë analizës vërehen shkelje të ligjit, Autoriteti paralajmëron ndërmarrjen e veprimeve ligjore. Ligji i jep mundësi këtij institucioni të vendosë masa të përkohshme, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg.
“Këto masa mund të zgjasin deri në gjashtë muaj dhe, nëse është e nevojshme, mund të shtyhen. Autoriteti mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e konkurrencës, të konsumatorëve dhe funksionimin e drejtë të tregut,” përfundon komunikata.