Nga dita e nesërme, rikthehet në fuqi marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për lehtësimin e procedurave kufitare, duke mundësuar lëvizje të lirë dhe pa ndalesa për automjetet me targa të të dyja vendeve.
Sipas kësaj marrëveshjeje, në pikën kufitare të Vërmicës nuk do të kryhen kontrolle kufitare gjatë periudhave të përcaktuara, duke garantuar kalim më të shpejtë dhe shmangie të pritjeve të gjata për udhëtarët.
Ky lehtësim do të zbatohet për nëntë muaj të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës. Marrëveshja, e cila u zbatua për herë të parë pranverën e kaluar, pati ndikim të dukshëm në uljen e trafikut dhe përmirësimin e përvojës së udhëtimit gjatë sezonit veror.
Derisa marrëveshja të hyjë në fuqi, udhëtarët që kalojnë kufirin deri të mërkurën në orën 24:00 janë të detyruar të paraqesin dokumentet e identifikimit, për shkak të nevojës për përpunimin dhe regjistrimin korrekt të të dhënave të automjeteve.
- Advertisement -
Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve në këtë periudhë, autoritetet kufitare të të dy vendeve kanë angazhuar të gjitha sportelet në dispozicion, duke synuar të garantojnë kalim të shpejtë dhe efikas për të gjithë qytetarët.