Arsenali është vetëm dy ndeshje larg finales së Ligës së Kampionëve – një arritje që do të ishte historike për klubin londinez. Mbrëmjen e sotme, në “Emirates Stadium”, skuadra e Mikel Artetës përballet me Paris Saint-Germain në sfidën e parë gjysmëfinale, mes entuziazmit dhe ambicies së madhe për të hyrë në elitën e vërtetë të Europës.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri spanjoll u shfaq i motivuar dhe i vendosur.
“Është një mundësi e pabesueshme, jemi këtu për t’i bërë njerëzit tanë të lumtur,” – tha Arteta, i cili është pranë realizimit të një objektivi që legjenda Arsène Wenger nuk arriti ta përmbushte gjatë gjithë epokës së tij me “topçinjtë”.
Dilema në formacion dhe mungesat
Arteta foli edhe për situatën e skuadrës, duke konfirmuar mungesën e Thomas Partey dhe duke shfaqur dilema për praninë nga minuta e parë të disa lojtarëve kyç.
“E dimë situatën e Mikel (Merino) dhe Ben (White). Fatkeqësisht humbëm Thomas. Mikel dhe Ben kanë mundur të stërviten, do të shohim nëse janë gati për të luajtur që nga fillimi. Calafiori, për fat të keq, nuk është stërvitur,” – tha tekniku.
Atmosferë optimiste në Londër
Klubi është përfshirë nga një valë entuziazmi që ndjehet në çdo cep të “Emirates”:
“E ndjen kudo në klub këtë atmosferë pozitive. Është një ndjesi unike, jemi plot energji dhe mezi presim të zbresim në fushë. Është një histori e bukur, por duam më shumë. Nuk jemi këtu vetëm për të qenë pjesë e kësaj faze – duam të shkojmë deri në fund,” – u shpreh Arteta.
- Advertisement -
Arteta: Mbrëmja më e madhe e karrierës sime
I pyetur nëse kjo do të jetë nata më e rëndësishme në karrierën e tij si trajner, ai nuk nguroi të thotë:
“Po, besoj se po. Jam përballur me shumë sfida si lojtar dhe si trajner, por kjo është ndoshta më e madhja. Shpresoj që të jetë një mbrëmje e paharrueshme për të gjithë ne.”
Megjithatë, Arteta nuk i shmanget realitetit kur bëhet fjalë për pozicionin e Arsenalit në krahasim me kundërshtarin francez:
“Nëse e shohim nga historia, atëherë jo – sepse Arsenali nuk e ka fituar kurrë Champions League. Por kjo nuk do të thotë se nuk e meritojmë të jemi këtu.”
Vlerësim për Declan Rice
Në fund, tekniku spanjoll ndau disa fjalë edhe për mesfushorin Declan Rice, blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit:
“Shpresoj që, duke fituar shumë trofe së bashku, të justifikojmë plotësisht këtë investim. Ai ka hedhur hapa të mëdhenj përpara që nga ardhja te Arsenali.”
Në Londër, ëndrra ka marrë trajtë konkrete. Arsenali kërkon të shkruajë historinë dhe të sigurojë një vend në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve – për herë të parë që nga viti 2006.