Për të pestën herë me radhë, nesër nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për të tentuar konstituimin e legjislaturës së re.
Seanca e fundit, ashtu si tri të mëparshmet të mbajtura në interval prej 48 orësh, është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kjo e fundit, përmes përfaqësuesit të saj Glauk Konjufca, ka kërkuar kohë shtesë dhe një marrëveshje politike, për të zhbllokuar situatën dhe për të gjetur një kandidat të pranueshëm për postin e kryeparlamentarit.
“Ne kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë”, u shpreh Konjufca, duke theksuar se qëllimi është gjetja e një shumice funksionale për të vazhduar procesin institucional.
- Advertisement -
Aktualisht, mbetet e paqartë nëse do të ketë zhvillime konkrete deri nesër që do t’i hapnin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit të tij.