Dita Ndërkombëtare e Tokës, e cila shënohet çdo vit më 22 prill, ka nisur të kremtohet për herë të parë në vitin 1970, kur rreth 20 milionë qytetarë amerikanë dolën në rrugë për të marrë pjesë në një nga demonstratat më të mëdha në mbrojtje të mjedisit, që u pagëzua “Dita e Tokës”.
Që atëherë, kjo datë është kthyer në një simbol global të ndërgjegjësimit dhe veprimit për mjedisin. Që nga viti 1990, ajo u përqafua nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa në vitin 1992, në Samitin e Tokës të organizuar nga OKB në Rio de Zhaneiro, iu dha edhe më shumë peshë globale. Në vitin 2009, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli zyrtarisht 22 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Kjo ditë shënohet në mbarë botën me një sërë aktivitetesh që synojnë përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe edukimin e brezave të rinj – nga aksione pastrimi e pyllëzimi, te protestat, koncertet, ekspozitat dhe orët edukative në shkolla.
Edhe në Kosovë, kjo ditë po shënohet me aktivitete të ndryshme. Iniciativa “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”, në bashkëpunim me Kolegjin Heimerer dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, ka organizuar një aksion pastrimi që do të zhvillohet në lagjen Veternik dhe përgjatë rrugës Shkupi në Prishtinë, duke nisur nga ora 10:00.
- Advertisement -
Përmes këtyre aktiviteteve, organizatorët synojnë të ndërgjegjësojnë qytetarët për rëndësinë e mbrojtjes së ambientit dhe ruajtjes së pasurive natyrore, duke e kthyer këtë ditë në një thirrje për veprim konkret në shërbim të tokës dhe të së ardhmes sonë të përbashkët.