Sot në orën 12:00 pritet të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, proces ky që do të përcaktojë hapat e radhës drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Partitë opozitare – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë, megjithatë ende nuk kanë sqaruar nëse do të japin votën për miratimin e raportit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve të rinj.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar një ditë më parë përmes një përgjigjeje institucionale lidhur me situatën e krijuar, duke theksuar se themelimi i institucioneve është obligim kushtetues i deputetëve dhe se proceset nuk duhet të bllokohen.
Ajo ka cituar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO72/20, ku theksohet qartë se “asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, duke nënvizuar se qëllimi i Kushtetutës është themelimi i shpejtë i institucioneve.
- Advertisement -
Nëse sot miratohet raporti për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të 120 deputetëve të rinj të legjislaturës së nëntë, kjo do të hapë rrugë për betimin e tyre, si dhe për propozimin dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Pas përmbylljes së kësaj faze konstituive, mbetet të shihet nëse partia fituese e zgjedhjeve do të ketë numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë e re – një çështje që ende nuk ka marrë përgjigje përfundimtare.