Hagë – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar zyrtarisht fazën e paraqitjes së provave në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjykimi ndaj tyre, i cili po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë, nisi më 3 prill 2023 dhe konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme për drejtësinë pasluftës në Kosovë.
125 dëshmitarë dhe mbi 3,000 prova materiale
Gjatë kësaj faze, Prokuroria ka paraqitur rreth 3,000 prova materiale në disa gjuhë, ka thirrur 125 dëshmitarë për të dhënë dëshmi të drejtpërdrejta dhe ka dorëzuar më shumë se 1,430 parashtresa ligjore të lidhura me çështjen.
Të katër të pandehurit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, ndalim të paligjshëm dhe torturë të qindra civilëve, të kryera kryesisht gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 në disa rajone të Kosovës dhe në Shqipërinë e veriut.
- Advertisement -
Sipas aktakuzës, viktimat ishin civilë dhe persona që nuk kishin marrë pjesë në luftime. Në këtë proces, mbi 150 viktima janë përfshirë dhe përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.
Prokurorja: “Sundimi i ligjit, i domosdoshëm për Kosovën”
Gjatë deklaratës përmbyllëse, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, vlerësoi guximin e dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi gjatë dy viteve të fundit.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre që folën hapur në sallën e gjyqit,” tha ajo.
West shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në mbledhjen dhe paraqitjen e provave, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë për të ardhmen e Kosovës:
“Duhet gjithmonë të përballemi me krime si vrasja dhe tortura. Për Kosovën është jetike që sundimi i ligjit dhe procesi gjyqësor të respektohen për të ruajtur integritetin dhe për të zbuluar të vërtetën.”
- Advertisement -
Nis faza e mbrojtjes
Pas mbylljes së fazës së Prokurorisë, procesi gjyqësor pritet të hyjë në një etapë të re, ku ekipet mbrojtëse të të pandehurve do të kenë mundësinë të paraqesin argumentet e tyre dhe të dëshmojnë në mbështetje të pafajësisë së klientëve të tyre.
Ky proces pritet të zgjasë edhe në muajt në vijim dhe po ndiqet me interes të madh nga publiku, politika dhe aktorët ndërkombëtarë, për shkak të ndikimit të tij në narrativën e pasluftës dhe të së drejtës ndërkombëtare penale.