Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, sipas nenit 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, pas sigurimit të provave të besueshme gjatë fazës së hetimeve.
“I dyshuari, shtetas kosovar dhe person i autorizuar në një procedurë prokurimi, dyshohet se ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimmarrje gjatë procesit të vlerësimit të ofertave. Ai ka tentuar të përfitojë kundërligjshëm fonde publike në vlerë prej 400 mijë eurosh,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
- Advertisement -
Autoritetet kanë theksuar se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të identifikuar mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë veprimtari të kundërligjshme.