Ramadan Nishori ka bërë historinë duke u bërë burri i parë që e bën publik rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në një ngjarje të organizuar për Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Nishori rrëfeu tmerrin që ka përjetuar në duar të policëve serbë më 1998, kur ai ishte vetëm 21 vjeç.
Në rrëfimin e tij, Nishori tha se dhuna ka ndodhur gjatë kohës kur ishte i ndaluar në stacionin policor në Drenas. Ai kujtoi momentin kur dy policë serbë e morën nga korridori dhe e futën në një banjo, ku përjetoi abuzimin më të tmerrshëm të jetës së tij. “Njëri më dhunoi, ndërsa tjetri po përgatitej. Nga bërtimat e mia, një shqiptar arriti të më nxjerrë nga aty,” tha Nishori.
Ai shpjegoi gjithashtu se, pas kësaj ngjarje, e morën në pyetje policët civilë dhe e kërcënuan të mos fliste për atë që kishte ndodhur. Pas tre muajsh të kaluar në burgun e Prishtinës, Nishori u transferua në burgun e Lipjanit, ku vazhdoi të përjetonte maltretime të tmerrshme.
Nishori, i cili sot jeton në Fushë Kosovë, ka treguar se, pas lirimit nga burgu, kishte menduar disa herë të largohej në Malin e Zi, pasi për një kohë të gjatë nuk kishte mundur të paraqitej në organizatën që mbështet të mbijetuarit e dhunës seksuale. Ai e shprehu falënderimin për Vasfije Krasniqin, gruan e parë që bëri publik rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale, e cila e ndihmoi atë të gjejë guximin për të shpërndarë historinë e tij.
- Advertisement -
Në fund, Nishori theksoi se nuk dëshiron të shihet me keqardhje për përvojat që ka kaluar, por si një njeri që ka luftuar dhe nuk është thyer, pavarësisht torturave që ka përjetuar.