Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar rëndësinë e formimit të një qeverie të qëndrueshme në vend, duke e krahasuar situatën aktuale politike në Kosovë me atë në Gjermani pas zgjedhjeve të fundit.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Rohde tha se konsensusi politik dhe një shumicë stabile janë elemente thelbësore për garantimin e stabilitetit dhe zhvillimit afatgjatë të vendit.
“E dini, sapo patëm zgjedhje edhe në vendin tim. Formimi i qeverisë kërkon kohë, por më e rëndësishmja është të kemi një shumicë të qëndrueshme dhe konsensus për të ndërtuar një qeveri të re. Në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, është në interes të vendeve dhe qytetarëve që të kenë qeveri stabile,” u shpreh Rohde.
Ai shtoi se mungesa e stabilitetit politik mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik. Si shembull, Rohde përmendi ndikimin e politikave tregtare të Shteteve të Bashkuara në ekonominë globale.
- Advertisement -
“Nëse nuk ka stabilitet, kjo ndikon në zhvillimin ekonomik. Politikat doganore amerikane tashmë po reflektohen në çdo vend, dhe ndikimi është i dukshëm edhe në tregjet financiare, të cilat po përballen me rënie,” tha ambasadori gjerman.
Rohde gjithashtu vuri theksin te rëndësia e “patriotizmit kushtetues” dhe roli jetik që ka Gjykata Kushtetuese në ruajtjen e demokracisë.
“Gjykata Kushtetuese është një nga shtyllat më të rëndësishme të një demokracie funksionale. Ajo siguron që rregullat e lojës të respektohen. Demokracia kushtetuese mund të lulëzojë vetëm kur të gjitha institucionet bëjnë pjesën e tyre,” theksoi ai.