Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Qeveria në Beograd pretendon se 27 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Mosnjohjet janë “akte të çrregullta ndërkombëtare”, të cilat kanë pasoja të shumëfishta për Kosovën, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Gëzim Visoka.
Më 16 janar, kryediplomati i Togos, Robert Dussey, bëri të ditur tërheqjen e njohjes së Kosovës, gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Sipas pretendimeve të Beogradit zyrtar, Togoja shtet në Afrikën Perëndimore nuk qëndron e vetme në këtë aspekt.
- Advertisement -
Në fillim të këtij muaji, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmendi edhe nëntë shtete të tjera, për të cilat tha se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë lidhur me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, i cilëson çnjohjet e pavarësisë si “akte të çrregullta ndërkombëtare”, që, siç thotë, nuk janë të rregulluara mirë në të drejtën ndërkombëtare, “prandaj lënë hapësirë edhe për dyshime, keqkuptime, por edhe manipulime”.