Një skandal me baste ka përfunduar në rrëmbim dhe tortura për ta detyruar të dyshuarin të rrëfehej. Ngjarja e pabesueshme ndodhi në Kamerun, ku sipas disa burimeve të cituara nga shtypi lokal, presidenti i Victoria United, klub i divizionit të parë, ka rrëmbyer, mbajtur peng dhe torturuar për tri ditë portierin e tij, Djomeni Éric Parfait. Presidenti Valentin Kwain e ka akuzuar atë se ka shitur disa ndeshje, duke vënë baste në platformën “1Xbet”.
Pasi e kishte çuar lojtarin para autoriteteve, të cilat nuk gjetën prova kundër tij, Kwain më pas urdhëroi rrëmbimin e tij nga disa njerëz të besuar në qytetin Limbe. Aktualisht, portieri thuhet se mbahet i fshehur në një vend të panjohur.
Lajmin e ka denoncuar në media nëna e futbollistit, e cila, pasi u paraqit në zyrat e klubit për të kërkuar të birin, u dëbua me forcë nga presidenti. Në mbështetje të lojtarit ka dalë edhe Unioni Kombëtar i Futbollistëve të Kamerunit (Synafoc).
“Drejtësi për Eric Parfait Djomeni! Portieri i ri i Victoria United është rrëmbyer, mbajtur peng dhe torturuar nga presidenti famëkeq i klubit të tij, Valentin Kwain. Eric Parfait Djomeni, ke gjithë mbështetjen time”, – ka deklaruar Jacques Marcel Itiga Itiga, përgjegjës për komunikimin në sindikatën e futbollistëve kamerunas.
- Advertisement -
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.