Zyra e Rregullatorit për Energji ka dalë me sqarim për opinionin publik , pas raportimeve në disa media se nga 1 prilli do të ketë shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike. Thonë se çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik.
Në sqarim thuhet se ZRRE-ja ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, në përputhje me kërkesat ligjore, për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale.
“Këto aplikacione janë aktualisht në proces të vlerësimit nga ZRRE, dhe pas përfundimit të këtij procesi, ZRRE do të publikojë raportin konsultativ, i cili do të ndahet me publikun për shqyrtim dhe komente. Çdo deklaratë ose informacion lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në këtë moment është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Këto pretendime nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat aktuale të pranuara nga operatorët e licencuar dhe nuk pasqyrojnë procesin në vazhdim të vlerësimit nga ZRRE”, thuhet në sqarim.
ZRRE ka ftuar të gjitha palët e interesuara dhe qytetarët që për çdo pyetje, shqetësim ose informacion lidhur me këtë proces, të kontaktojnë drejtpërdrejt me ZRRE për të marrë informacionin e saktë dhe të bazuar në procedurat ligjore dhe rregullative të përcaktuara.
- Advertisement -
“Angazhimi ynë është që të sigurojmë një proces transparent dhe të drejtë, që i shërben interesave të qytetarëve dhe zhvillimit të sektorit të energjisë në përgjithësi”, thuhet në sqarimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.