Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka përsëritur kërkesën drejtuar subjektëve politike në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e së dielës.
Për të siguruar zbatimin e ligjit, Agjencia kërkon nga partitë politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.
“Agjencia ofron bashkëpunim me të gjitha subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.”, thuhet në njoftimin e AIP-së.