Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës që kur u regjistruan si votues jashtë Kosovës e përzgjodhën këtë mënyrë votimi. Ky lajm është bërë i ditur për RTKLive nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se procesi i votimit përmes postës do të përfundojë më 8 shkurt.
“Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit , (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, për votimin përmes postës janë duke funksionuar kutitë postare të cilat janë hapur nga KQZ-ja me ndihmën e përfaqësive diplomatike në gjithsej 22 shtete të ndryshme të botës: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër.
Gjithashtu, sipas zëdhënësit të KQZ-së, është funksionale edhe kutia postare e KQZ-së në Kosovë.
- Advertisement -
Gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, nga 104,924 pjesa më e madhe e tyre (84,600) kanë përzgjedhur votimin përmes postës dhe vetëm 20,324 do të mund të votojnë në përfaqësi diplomatike.
Elezi, ka treguar për RTKlive se, KQZ-ja është duke bërë përgatitjet për organizimin e procesit të votimit në përfaqësi diplomatike, i cili do të organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës.
“KQZ është duke bërë përgatitjet edhe për organizimin e procesit të votimit në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, i cili do të mbahet më 8 shkurt 2025 për 20,324 shtetas të Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Për herë të parë në historinë e Kosovës, procesi i votimit do të organizohet në përfaqësi diplomatike dhe atë në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës”, njoftoi Elezi.