Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbledhur sot në takim të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Në këtë tryezë takimi ishin edhe prokurori për çështje kibernetike në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, Nathan Brooks si dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, gjatë këtij takimi, kryeprokurorët dhe prokurorët e ZKPSH-së patën një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor me prokurorin amerikan Brooks, për tema që ndërlidhen me krimet kibernetike, me të cilin thuhet se shkëmbyen përvojat profesionale nga kjo fushë.
“Çështje tjetër me rëndësi që u diskutua në këtë takim ishte edhe numri i rasteve me kryerës të panjohur të veprave penale. Lidhur me këtë pati diskutime për gjetjen e një zgjidhje që do të ndikonte në zvogëlimin e numrit të këtyre rasteve, duke përfshirë edhe shtimin e kërkesave për Policinë e Kosovës që të angazhohet më shumë për zbulimin dhe identifikimin e këtyre kryerësve të veprave penale”, thuhet tutje në njoftim.