Ismet Bahtijari ka ndryshuar deklaratën e tij, nga i pafajshëm në fajtor, lidhur me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe atë të frikësimit.
Bahtijari u përgjigj me “Po”, kur u pyet se a është i gatshëm që të ndryshojë deklarimin fillestar si i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Si rrjedhojë, atij iu lexuan akuzat sërish, ku për secilën prej tyre u deklarua fajtor.
Veç kësaj, Bahtijari pohoi se marrëveshjen me ZPS-në e ka arritur me vullnetin e tij dhe që askush nuk e ka detyruar.
- Advertisement -
Ndërsa sa i takon zhdëmtimit, avokatja e Bahtijarit, Felicity Gery tha se kanë bërë disa komente me shkrim duke përfshirë edhe atë që të mos ketë kosto financiare për Bahtijarin që përfshihet çdo kosto e mundshme qoftë për zhdëmtime apo për shpenzime.
Ajo gjithashtu tha se dje është dhënë dje urdhri në gjykatë për kërkime lidhur me viktima të mundshme dhe sipas saj ata nuk mund të bëjnë parashtrime deri sa të përfundojë ky hetim i cili është urdhëruar.
Gery tha se parashtrimet e tyre do t’i bëjnë të plota në momentin që urdhri lëshuar nga gjyqtarja zbatohet.
Ndërsa, prokurori John Deveney tha se janë në një fazë të hershme dhe nuk dihet se a do të ketë viktima pjesëmarrëse në këtë rast. Megjithatë edhe ai tha se do të presin zbatimin e urdhrit të gjykatës lidhur me këtë pjesë.
Ndërsa sa i takon dënimit, Gery tha se nuk po kërkojnë asgjë më tepër së marrëveshja për pranimin e fajësisë dhe kërkoi që ajo të merret parasysh dhe të pranohet nga gjykata.
- Advertisement -
Marrëveshja për pranimin e fajësisë, Bahtijari dhe ZPS-ja u pajtuan për 2 vjet burgim
Gjatë seancës së sotme, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Vedlt- Foglia tha se Ismet Bahtijarin dhe ZPS-ja janë dakorduar në marrëveshjen e pranimit të fajësisë, që të kërkohet 2 vjet burgim për të akuzuarin.
“… se ju pajtoheni me përcaktimin e një dënimi me burg prej dy vjetësh”, tha kryegjyqtarja dhe një gjë të tillë e konfirmoi edhe Bahtijari.
- Advertisement -
Bahtijari pohoi se e ka diskutuar me avokatin e tij kushtet e marrëveshjes dhe se e ka pranuar atë pas diskutimit me përfaqësuesen e tij ligjore.
Ai madje pohoi se kushtet dhe çdo pjesë të marrëveshjes i ka lexuar në një gjuhë që e kupton.
Si rrjedhojë, kryegjyqtarja Mappie Veldt- Foglia tha se sipas marrëveshjes, Ismet Bahtijari pranon se ai ishte pjesë e një grupi që kërkonte të nxiste dëshmitarin 1 që të mos jepte dëshmi para DhSK-së përmes premtimit për përfitim dhe se anëtarë e grupit duke vepruar nën drejtimin e Haxhi Shalës i shkuan dëshmitarit 1 në shtëpinë e tij përkatësisht me 5 prill dhe 12 prill 2023.
Gjatë vizitës së 5 prillit, i pandehuri Bahtijari i kishte thënë dëshmitarit se ai duhet të tërhiqte dëshminë e tij. Ndërsa, gjatë vizitës së 12 prillit, Sabit Januzi i kishte bërë një ofertë dëshmitarit 1 që Haxhi Shala dhe të tjerët do ta ndihmonin atë nëse ai do e tërhiqte dëshminë e tij.
Tutje, gjyqtarja vazhdoi se sipas marrëveshjes, para dhe pas vizitës së 5 prillit 2023 dhe para vizitës së 12 prillit 2023, Bahtijari komunikoi dhe koordinoi me anëtarë e tjerë të grupit për ndërveprimet e tyre me dëshmitarin 1.
Bahtijari e konfirmoi se mbi këtë bazë faktike kanë lidhur marrëveshje me ZPS-në.
Ngjashëm si për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin, kryegjyqtarja lexoi pikat e aktakuzës se 10 korrikut 2024, që përfshihen në marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Ismet Bahijarin.
Sipas saj, në këtë marrëveshje përfshihen pikat 8, 9, 13 deri në 18 dhe 24.
ZPS-ja është tërhequr nga pika 1 e aktakuzës.
Tutje, sipas marrëveshjes u tha se Bahtijari pranon fajin para trupit gjykues lidhur me pikat 2 dhe 3 të aktakuzës së 10 korrikut 2024.
Sipas pikës 2, Bahtijari akuzohet për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës (KPK), nenet 17, 21, 28, 33, 35 dhe 401(2)(5) dhe nenet 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit të DhSK-së.
Ndërsa, në piken 3, ai akuzohej për frikësim gjatë procedurave penale më anë të premtimit për dhuratë ose çfarëdo forme tjetër përfitimi. Kjo vepër është e ndëshkueshme sipas neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit për DhSK-në.
Bahtijari u njoftua që në rast se aprovohet kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë, atij iu hiqet e drejta për apelim të vendimeve. Rrjedhimisht, Bahtijarit nuk do të ketë mundësi që ta tërheq pranimin e fajit apo të kërkojë ndryshimin e vendimit të dënimit.
Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.
Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.
Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.
Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Ndërsa, prokurorja tha se qëndrim i tyre është se që nga dita e sotme deri në pranimin e fajësive dhe deklarimit të tyre ata janë në pozitë që të vazhdojnë për përcaktimin e dënimit dhe se versioni i punës së aktakuzës duhet të mbetet ai i 10 korrikut i ndryshuar më pas me atë të 17 dhjetorit 2024.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup. /BetimiPerDrejtesi