Sot është Dita Kombëtare e Alfabetit, ku do të prezantohet drafti i fjalorit të rinovuar të gjuhës shqipe e më pas fjalori do të hidhet në konsultim të gjerë publik.
Data 22 nëntor përbën një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, pasi kjo datë shënon ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.
Mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908 është mbajtur një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.
- Advertisement -
Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues.
Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.