Kryeministri Albin Kurti ka shpërndarë një video nga vizita e djeshme në një nga depot me furnizimet e fundit me armatim të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Në pamjet e publikuara në Facebook, Kurti shihet bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, duke parë nga afër armët.
“Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për Forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë”, ka shkruar ai.
Tutje Kurti në video thotë se ngritja e kapaciteteve ushtarake ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.