Me rekomandime karshi Kuvendit të Kosovës vetëm tri ditë para se Buxheti i Republikës për vitin 2025 të diskutohet në Kuvend kanë dalë organizata e shoqërisë civile përfshirë edhe Rrjetin e Grave të Kosovës që kërkojnë përfshirjen e barazisë gjinore në buxhetin e vitit që vjen.
Në këtë kontekst kanë kërkuar që Kuvendi para se të votojë Ligjin për Buxhetin të sigurohet se çdo komunë të ketë një buxhet në paga dhe mëditje për zyrtarin për barazi gjinore, institucionet të cilat nuk kanë caktuar ende zyrtar për barazi gjinore ta bëjnë sa më shpejtë, Ministria e Drejtësisë të alokojë burimet e duhura për një Qendër të Krizave të Dhunimit, të ofrojë trajtim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe një linjë telefonike SOS në përputhje me Konventën e Stambollit.
Tutje si rekomandime kanë kërkuar alokimin e buxhetit për Qendrat për Punë Sociale në kategorinë e Pagave dhe Mëditjeve për të punësuar dy punonjës social më shumë në secilën komunë, dhe katër në Prishtinë, të ngarkuar në mënyrë specifike për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.
Kanë rekomanduar që MPB-ja të përmirësojë mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore e të parandalojë përsëritjen e tyre duke ndarë fonde për blerjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve elektronike të monitorimit.
- Advertisement -
Rekomandim ka edhe për Skemën e Asistencës Personale ku kanë kërkuar rritjen e linjës buxhetore për financimin e saj.
Financimin adekuat të shërbimeve të kujdesit që MASHTI dhe komunat të financojnë krijimin e qendrave të kujdesit për fëmijë për rritjen e punësimit dhe arsimimit të grave, duke siguruar mbështetje buxhetore të qëndrueshme dhe të pavarur nga donacionet.
Gjithashtu kanë kërkuar që qeveria të publikojë një Deklaratë Buxhetore Gjinore duke treguar se si buxheti do të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore.
Andaj i është bërë thirrje Parlamentit të Kosovës që t’i përfshijë këto rekomandime në Projektbuxhetin 2025 pa vonesë, për të siguruar përparimin drejt barazisë gjinore dhe për të përmbushur detyrimet ligjore të vendit.