Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të mbahet seanca dëgjimore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq pritet të deklarohen sot rreth fajësisë, pasi seanca e 27 shtatorit ishte ndërprerë me kërkesë të mbrojtjes së tyre, me arsyetimin se i kanë pranuar me vonesë shkresat e lëndës.
Seanca dëgjimore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
- Advertisement -
Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.