Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecjet në dialogun për normalizim raportesh, duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq. Ai ka fajësuar edhe ndërmjetësit për mos-ushtrim të rolit të tyre.
Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se e shkel në vazhdimësi marrëveshjen dhe se po e strehon kryeterroristin Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e vitit të shkuar. “Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia”, ka thënë ai, në një intervistë për “Politico.eu”.
Kurti ka thënë se qasja e Serbisë nuk është për normalizim raportesh me Kosovën.
“Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka theksuar Kurti, për “Politico”.
- Advertisement -
Ky portal, shkruan se deklarata është dhënë një ditë pasi Kurti mori pjesë në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.
“Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, ka thënë Kurti.
Kreu u qeverisë kosovare ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiqin. Edhe pse ishin në të njëjtin takim javën e shkuar, dy liderët s’kanë biseduar direkt. “Kur ai flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Vuçiqin.