Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka shpallur publikisht planin e masave të Serbisë për marrëdhënien me Kosovën.
Në fjalimin drejtuar popullit serb, Vuçiç foli për masat e Serbisë në raport me Kosovën dhe Metohinë siç i cilësoi ai, ku jetojnë pakica serbe.
Presidenti serb kërkon ndalimin e veprimeve të njëanshme nga Kosova dhe paralajmëroi se do të nisin një fushatë diplomatike për plotësimin e kërkesave të Beogradit.
Edhe pse shprehu gatishmërinë për dialog me Kosovën, Vuçiç tha se ndalimi i veprimeve të njëanshme nga Prishtina është parakusht për vazhdimin e dialogut në Bruksel mes dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve.
- Advertisement -
“Sot Serbia është në një situatë të vështirë juridike dhe politike sa i përket Kosovës dhe Metohisë. Ekonomikisht Serbia është shumë mirë, ndoshta shkëlqyer. Por ajo që mbetet pika jonë më e dhimbshme është Kosova dhe Metohia”, u shpreh Vuçiç.
Në kuadër të masave serbe, Presidenti deklaroi se kërkesa e parë e tyre nga 7 të tilla është shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e OSBE-së dhe Misionit të BE.
Kërkesa e dytë është kthimi i serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun.
Kërkesa e tretë, kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
Kërkesa e katërt, tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
- Advertisement -
Kërkesa e pestë, formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kërkesa e gjashtë, zbatimi i garancive të BE-së dhe SHBA-së i 28 Dhjetorit 2022 për lirimin e të burgosurve politikë.
Kërkesa e shtatë, rikthimi i transaksioneve financiare dhe pagesave e shërbimeve postare për qytetarët serbë në veri të Kosovës në raport me Serbinë.
- Advertisement -
Vuçiç deklaroi se do ta shpallë Kosovën dhe Metohinë zona të mbrojtjes së veçantë sociale për Serbinë. Kjo shpallje është praktikisht nul sepse ashtu si dhe Vuçiç e ka të qartë, Kosova që nga viti 2008 është republikë sovrane.