Donald Trump mund të shihet si një aset rus, megjithëse jo në kuptimin tradicional të një agjenti aktiv apo një burimi të rekrutuar, tha një ish-zëvendësdrejtor i FBI-së, i cili ka punuar nën ish-presidentin amerikan.
I pyetur në një podcast nëse mendonte se ishte e mundur që Trump të ishte një aset rus, Andrew McCabe, të cilin Trumpi e shkarkoi si zëvendësdrejtor i FBI-së në vitin 2018, tha: “Po, po”, raporton “Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk e di se do ta karakterizoja si [një] aset aktiv, i rekrutuar, me njohuri në mënyrën se si njerëzit në komunitetin e inteligjencës mendojnë për atë term. Por unë mendoj se Donald Trump na ka dhënë shumë arsye për të vënë në dyshim qasjen e tij ndaj problemit të Rusisë në Shtetet e Bashkuara dhe mendoj se qasja e tij për të bashkëvepruar me Vlladimir Putinin, qofshin ato telefonata, takime ballë për ballë, gjërat që ai i ka thënë në publik për Putinin, të gjitha ngrenë pyetje të rëndësishme”.
McCabe po fliste në podcastin “One Decision”, bashkë-organizuar nga Sir Richard Dearlove, ish-kreu i MI6, shërbimi i inteligjencës britanike.
- Advertisement -
Biseda, në të cilën McCabe gjithashtu vuri në dyshim qëndrimin e Trumpit për të mbështetur Ukrainën dhe NATO-n përballë agresionit rus, u regjistrua përpara debatit në Filadelfia të martën, në të cilin Trumpi bëri komente më të diskutueshme.
Duke pretenduar se Rusia nuk do të kishte pushtuar Ukrainën po të ishte ai president, Trumpi nuk tha nëse fitorja e Ukrainës do të ishte në interesat e ShBA-së.
“Mendoj se është në interesin më të mirë të ShBA-së që kjo luftë të përfundojë dhe thjesht të marrë fund”, tha ai. “Negocioni një marrëveshje”.
Duke pretenduar se kishte marrëdhënie të mira me Putinin dhe Volodymyr Zelinskyn, presidentin ukrainas, “Guardian” shkruan se Trumpi tha në mënyrë të rreme se kundërshtarja e tij, Kamala Harris, nuk arriti të shmangte luftën përmes bisedimeve personale.
Zëvendëspresidentja u kundërpërgjigj se ajo kishte ndihmuar në “ruajtjen e aftësisë së Zelenskyt dhe ukrainasve për të luftuar për pavarësinë e tyre. Përndryshe, Putini do të ishte ulur në Kiev me sytë nga pjesa tjetër e Evropës, duke filluar nga Polonia”.
- Advertisement -
Në një nga rreshtat më të paharrueshëm të natës, Harris shtoi: “Dhe pse nuk u tregoni 800,000 amerikanëve polakë këtu në Pensilvani se sa shpejt do të hiqnit dorë për hir të favorit dhe asaj se çfarë ju mendoni se është një miqësi me atë që dihet se është një diktator i cili do të të hante për drekë”.
McCabe ishte pjesë e udhëheqjes së FBI-së, për pak kohë si ushtrues detyre i drejtorit, gjatë hetimeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe lidhjet midis Trumpit dhe Moskës. Trumpi e shkarkoi McCaben në mars 2018, dy ditë para se të dilte në pension. Më pas, McCabe ishte subjekt i një hetimi penal, pasi dyshohej se kishte gënjyer për një rrjedhje mediatike. Hetimi u pushua në vitin 2020. /Klankosova.tv