Prokuroria e Posaçme e Kosovës shpalli të mërkurën ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e një viti më parë në fshatin Banjskë në veri të vendit, në një nga ngjarjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.
“Ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Milan Radoiçiç i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha prokurori i rastit Naim Abazi.
Sipas prokurorisë të akuzuarit kanë luajtur role të ndryshme brenda grupit kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i veprimtarive terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave.
Prokuroria e Posaçme tha se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, makina të blinduara e mbi 1200 armë.
- Advertisement -
Prokurori Naim Abazi tha se në kuadër të hetimit janë bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar duke përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera, për të siguruar dëshmi të rëndësishme.
“Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për të siguruar provat që ndihmojnë në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”, tha ai.
Më 24 shtator të vitit 2023 një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke vrarë oficerin e policisë Afrim Bunjaku. Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën.
Policia gjeti një sasi të konsiderueshme armatimesh në zonën e manastirit ortodoks të fshatit Banjskë, ku ishin strehuar sulmuesit.
Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.
- Advertisement -
Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit ndërsa ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen në Kosovë për t’u gjykuar nga autoritetet vendase.
Beogradi ka mohuar të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.
Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, u ndalua nga autoritetet serbe, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri.