Kombëtarja është gati për të luajtur mbrëmjen e sotme, ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve. Në prag të kësaj sfide, opinionet e një ish-sulmuesi si Edmond Kapllani janë mëse të vlefshme.
Analizë e ndeshjes me Ukrainën dhe komplimente për Ismajlin dhe Manajn. Kapllani ka për “Panorama Sport” edhe një koment për ndeshjen me Gjeorgjinë, që do të nisë sot në orën 20:45 në “Air Albania.”
Si ishte paraqitja e Kombëtares me Ukrainën, e prisnit një fitore?
Të them të drejtën, ishte një ndeshje që personalisht mua më tregoi që skuadra është me këmbë në tokë. Duke parë që skuadra është rritur, duhet të arrijë akoma më shumë objektiva, siç arriti Kampionatin Europian, duhet të arrijnë akoma më shumë. Kjo na jep një shpresë euforie dhe ne specialistëve, por edhe tifozëve.
Zakonisht kemi kaluar ne të parët në avantazh dhe nuk e kemi ruajtur, por këtë herë pësuam dhe arritëm ta përmbysim, sa shenjë pozitive është kjo?
Patjetër që është një shenjë pozitive. Shenjat pozitive i kemi treguar edhe në Kampionatin Europian, ku pretenduam të arrinim pak më shumë, luajtëm me personalitet. Edhe në ndeshjen e kaluar, pas shënimit të golit nga Ukraina nuk e humbën personalitetin, por vazhduan para. Edhe fati ishte me ne, sidomos te goli që bëri Ismajli. Për mendimin tim, Shqipëria tregoi jo vetëm forcë morali, por edhe forcë personaliteti, sepse luajti gjatë 90 minutave me personalitetin e duhur.
- Advertisement -
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?
Më bënë përshtypje shumë gjëra, por kryesorja dua të bëj një kompliment për lojtarët, siç është Ismajli apo edhe Manaj. Për mendimin tim Ismajli tregoi karakterin e tij sportiv duke qenë se u grumbullua në Europian dhe siç tregoi dhe mërzitjet e tij që nuk mori asnjë minutë aty, këtu tregoi që është për tu marrë shembull. Ndërsa për Manajn mund të them se sakrifikon jashtëzakonisht shumë për këtë skuadër. Sipas meje ka bërë ndeshjen më të mirë të tij, të paktën aq sa e kam parë unë në Kombëtare. Edhe pse nuk ka shënuar, ai e ka mbajtur ekipin tonë shumë lart në shumë situata, jo çdo sulmues bën sakrifica si ai, dhe për këtë duhet komplimentuar.