Bashkimi Evropian porositi Serbinë se raportet e afërta me Rusinë nuk janë kompatibile me mëtimet e këtij shteti që të anëtarësohet në bllokun evropian.
Duke komentuar takimin e zëvendëskryeministrit serb Aleksandër Vulin me presidentin Rus Vladimir Putin që ndodhi të mërkurën më 4 shtator, zëdhënësi i BE, Peter Stano u shpreh se institucionet në bruksel me shqetësim i përcjellin veprimet dhe deklarimet e zotit Vulin.
“Mendoj se është mjaft e qartë se sa shpesh Vulin është në Moskë dhe sa rrallë është i ftuar në BE”, komentoi Stano duke shprehur habinë se në emër të kujt ai takohet dhe flet me zyrtarët rus marrë parasysh se presidenti Serb dhe anëtarët tjerë të qeverisë, sipas Stanos, në mënyrë të përsëritur konfirmojnë se prioritet i Serbisë është anëtarësimi në BE.
“Presim që Serbia të përmbahet nga intensifikimi i lidhjeve dhe kontakteve me Rusinë. Ne presim që të gjithë anëtarët e qeverisë së Serbisë do të respektojnë angazhimet që Serbia ka marrë mbi vete vullnetarisht kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, duke përfshirë përafrimin me vendimet e politikës së jashtme të BE-së. Mbajtja e lidhjeve të afërta apo intensifikimi i këtyre lidhjeve me Rusinë gjatë kohës së agresionit të saj të paligjshëm kundër popullit ukrainas, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe nuk është në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE”, porositi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.