Bota e futbollit mban zi për Sven Goran Eriksson, i cili vdiq në moshën 76-vjeçare. Në fillim të vitit 2023 ai u diagnostikua me kancer pankreatik dhe muajt e fundit kishte vizituar stadiumet në të cilat kishte drejtuar, për t’i përshëndetur fansat e tij. Në Itali drejtoi Romën, Fiorentinën, Sampdorian dhe Lazion.
Me këtë të fundit fitoi titullin historik në sezonin 1999-2000, Kupën e Fituesve të Kupave (1998-1999) dhe Superkupën e Europës më 1999. Në vitin 2001, suedezi u bë gjithashtu trajneri i parë i huaj i kombëtares angleze të futbollit, ai i “gjeneratës së artë” me David Beckham, Steven Gerrard, Wayne Rooney dhe Frank Lampard.
Ditët e fundit, Eriksson kishte publikuar një video me një mesazh prekës lamtumire: “Shpresoj se do të më kujtoni si një njeri pozitiv, që u përpoq të bënte gjithçka që ishte e mundur. Mos t’u vijë keq për mua, vetëm buzëqeshni. Faleminderit për gjithçka, trajnerë, lojtarë, publik, ishit të mrekullueshëm. Kujdesuni për veten dhe jetojeni jetën deri në fund”.
Ky është mendimi i shprehur nga David Beckham në një postim në Instagram, ku publikon edhe një video të shkurtër, e cila e portretizon së bashku me ish-trajnerin e tij gjatë kohës me Anglinë:
- Advertisement -
“Qeshëm, qamë dhe e dinim që po thoshim lamtumirë… Sven, faleminderit që ke qenë gjithmonë personi i pasionuar, i kujdesshëm, i qetë dhe një zotëri i vërtetë. Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e tua të fundit, që shkëmbyem bashkë: ‘Gjithçka do të jetë mirë’. Do t’ju jem gjithmonë mirënjohës që më keni bërë kapitenin tuaj”.