Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka vizituar sot stadiumin e Gjakovës, ku po kryhen punimet që ky të bëhet i kategorisë së katërt, sipas standardeve të UEFA-s.
Ademi tha se ky stadium do t’i mundësojë kombëtares së Kosovës zhvillimin e ndeshjeve, e për çka ky dha një premtim.
“Në vitin 2026, Kombëtarja jonë do të zhvillojë ndeshjen e parë në këtë stadium, qoftë ajo miqësore apo zyrtare”, tha Ademi.
I pari i FFK-së e ka përgëzuar kryetarin e Gjakovës Ardian Gjinin, për punë e jashtëzakonshme, që ka bërë në fillimin dhe realizimin e këtij projekti madhor.
- Advertisement -
“Stadiumi, me kapacitet prej 14,500 ulësesh, do të plotësojë të gjitha kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Ky projekt filloi me fonde lokale dhe tani po vazhdon me ndihmën e Ministrisë së Sportit, duke pasur përkushtimin e madh të kryetarit Gjini që nga fillimi deri në realizimin e tij. Gjithashtu, me kryetarin Gjini u dakorduam për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi për një fushë ndihmëse, sipas modelit tonë me komunat”, tha kreu i FFK-së transmeton Klankosova.tv
Komuna e Gjakovës do të kryejë procedurat bazë, ndërsa FFK do të ndërtojë fushën.
Po ashtu, do të ndërhyjmë edhe në riparimin e fushës stërvitore në Shkugëz, e cila është degraduar pas ndërtimit nga federata.
Bashkërisht me komunën, do ta riparojmë dhe organizojmë atë në mënyrën më të mirë që të jetë në gjendje optimale për klubet.
Ndërkaq, fusha e re do të jetë nën menaxhimin e Ligës Rajonale të Futbollit t% Gjakovës dhe do të shërbejë për të gjitha shkollat e futbollit që nuk zotërojnë fushat e tyre.