Gjykata Supreme e Kosovës është nikoqire e konferencës së 14-të të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës tha se përmes diskutimeve në këtë konferencë synojnë shkëmbimin e praktikave më të mira për forcimin e sistemit gjyqësor.
Me këtë rast, ai foli edhe për pavarësinë e gjyqësorit, derisa tha se disa herë ka pasur tentativa për ndërhyrje.
“Kjo konferencë përfaqëson një mundësi që të gjithë ne të bashkëpunojmë për të forcuar sistemet tona gjyqësore nëpërmjet shkëmbimit të praktikave tona më të mira. Kjo konferencë është mundësi unike për bashkëpunim mes sistemeve më të larta gjyqësore. Pavarësia e gjyqësorit është gurthemeli i një demokracie funksionale. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarëdo ndikimi. Ne duhet të punojmë pareshtur e të punojmë për ta mbrojtur këtë parim. Jo në pak raste kemi tentativa për të ndërhyrë. Është përgjegjësi e jona ta mbrojmë sa më fortë këtë”, shtoi ai.
- Advertisement -
Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani foli për rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së sistemit gjyqësor.
“Ky dialog të përçojë një mesazh esencial, atë të pavarësisë së gjyqësorit. Përtej diskutimit tematik që do të trajtohet, është jetike që dialogu dhe bashkëpunimi gjyqësor të vë theks në nevojën për ruajtjen dhe pavarësimin e pushtetit gjyqësor edhe në demokracitë e reja. Ne të gjithë jemi dëshmitarë që në dekadat e fundit është transformuar raporti mes tri degëve të pushtetit. Pavarësia e pushtetit gjyqësor buron nga gjyqtari, nga profesionializmi dhe qëndrueshmëria e tyre. Nga pasioni dhe besimi se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit”, tha ajo.
Konferenca do të vazhdojë edhe gjatë së martës.