Nedim Bajrami hyri në historinë e Kampionatit Europian me golin e shënuar ndaj Italisë, në ndeshjen debutuese të Shqipërisë në “Euro 2024”. Një rekord absolut ky, më vete.
Lojtarit të Sassuolos i mjaftuan 23 sekonda lojë për ta dërguar topin në rrjetën e portës së Donnarumma. Askush tjetër në historinë e Kampionatit Europian nuk kishte shënuar një gol kaq të shpejtë.
25-vjeçari kuqezi, i lindur në Zyrih, është pa dyshim ylli i momentit i kombëtares shqiptare. Fansat e përfaqësueses sonë do të ishin të lumtur ta kishin një fanellë të Bajramit, aq më tepër kur bëhet fjalë për atë që ka veshur mbrëmjen 15 qershorit në Dortmund, me të cilin vendosi rekordin e rekordeve në Europian.
Për një suvenir të tillë, ka nga ata që janë gati të paguajnë shuma marramendëse në “ankandin” që hap FSHF-ja pas çdo ndeshjeje, për fanellat e veshura nga kuqezinjtë.
- Advertisement -
Në fakt, sikurse edhe pritej, bluza që Nedim Bajrami ka veshur kundër Italisë është më e kërkuara në ankandin (mbyllet nesër në mesditë) e fanellave që kuqezinjtë kanë veshur ndaj axurrëve.
Deri në orën 10:00 të ditës së sotme, shuma e ofruar për fanellën e Bajramit kishte arritur 2100 euro, ndërsa për atë të Armando Brojës, 800 euro.
Sigurisht që me kalimin e orëve pritet të ofrohen shumë më të larta, por tendenca është e qartë: Bajrami duket se do të jetë “fituesi” i këtij ankandi.